Raporti i BB: Raportimi financiar përmirësohet, sektori me më shumë mangësi mbetet ndërtimi
Mbi 90% e kompanive dorëzojnë tashmë pasqyrat financiare brenda afateve ligjore, ndërsa numri i bilanceve të depozituara është rritur me më shumë se 50% në tre vitet e fundit.
Të paktën kështu vlerëson raporti përfundimtar të Bankës Botërore për projektin “Forcimi i Cilësisë së Auditimit dhe Raportimit Financiar” (SQARP).
Raporti vlerëson se numri i pasqyrave financiare të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit u rrit nga 20,700 në vitin 2022 në 31,300 në vitin 2025, duke mbuluar 92% të subjekteve që kanë detyrimin ligjor për raportim. Por i njëjti dokument evidenton se kontrollet mbi pasqyrat financiare zbuluan probleme të vazhdueshme në cilësinë e raportimit.
Kështu gjatë shqyrtimit pilot të 14 grupeve të pasqyrave financiare, niveli i ulët i përputhshmërisë u konstatua veçanërisht te kompanitë që nuk auditohen. Raporti thotë se disa prej tyre “paraqisnin vetëm politikat kryesore të kontabilitetit pa dhënë informacion sasior të mjaftueshëm”, ndërsa të tjera “nuk paraqisnin fare shënimet shpjeguese”.
Ndërtimi sektori me dobësi
Banka Botërore thekson se rezultatet më të dobëta u evidentuan në sektorin e ndërtimit, ku kërkohen shpjegime më të detajuara në pasqyrat financiare, por këto kërkesa “nuk plotësohen në mënyrë të qëndrueshme”. Në të njëjtën kohë, kompanitë që i nënshtrohen auditimit të pavarur, në përgjithësi, paraqitën nivel më të lartë përputhshmërie me standardet.
Raporti shton se vetë fakti që një kompani auditohet nuk garanton cilësi të lartë të raportimit financiar, pasi edhe disa kompani të audituara u klasifikuan me rrezik të lartë për shkak të zbatimit të dobët të standardeve.
Edhe inspektimet mbi cilësinë e auditimit evidentuan mangësi. Sipas raportit, u kryen 15 inspektime të cilësisë së auditimit, të cilat identifikuan mangësi të përsëritura në dokumentimin e auditimit, vlerësimin e rrezikut, provat e auditimit, procedurat për palët e lidhura dhe publikimin e raporteve të transparencës.
Dokumenti thekson se gjetjet “tregojnë nevojën për metodologji më të strukturuara, dokumentim më të fortë dhe përafrim më të plotë me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit”.
Raporti evidenton gjithashtu se është rritur numri i opinioneve të kualifikuara të auditimit për ndërmarrjet shtetërore, kryesisht për shkak të mosrespektimit të Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS).
Në përfundim, Banka Botërore e vlerëson projektin me rezultatin “i kënaqshëm”, duke nënvizuar se ai ka forcuar institucionet përgjegjëse për standardet e kontabilitetit, mbikëqyrjen e auditimit dhe raportimin financiar, ndërsa përputhshmëria e raportimit financiar në nivel kombëtar “është përmirësuar ndjeshëm”.
Projekti i Bankës Botërore SQARP nisi me miratim në prill 2021 dhe u mbyll më 31 dhjetor 2025.
Ai u financua me një grant prej 1.43 milionë euro. Synimi ishte forcimi i kapaciteteve për të përmirësuar, zbatuar dhe mbikëqyrur raportimin financiar sipas standardeve ndërkombëtare.